Dyshime per trukim te ndeshjes, policia kallëzim kundër 7 personave nga KF “Bashkimi” dhe “Kozhufi”
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka ngritur kallëzim penal kundër shtatë personave për trukimin e ndeshjes midis KF “Kozhuf” nga Gjevgjelia dhe KF “Bashkimi” nga Kumanova, e luajtur më 6 maj 2025 në Gjevgjeli.
Aksioni policor është zhvilluar me urdhër të Gjykatës Themelore të Gjevgjelisë, ndërsa më parë ishin siguruar informacione dhe prova gjatë procedurës para-hetimore. Gjatë kontrollit në dy lokacione të drejtorit sportiv të KF “Kozhuf”, janë gjetur gjurmë shtesë që kanë konfirmuar dyshimet për përfshirje në rezultatin e trukuar.
Sipas hetimit, kryetari i “Bashkimit”, me qëllim që klubi i tij të siguronte ngjitjen në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë ose të arrinte në ndeshjet e barazhit, kishte organizuar një takim ku kishte marrë pjesë edhe drejtori sportiv i “Kozhuf”-it. Në këtë takim, përmes ndërmjetësimit të njërit prej futbollistëve, ishte vënë dakordësi për pagesën e shumës prej 10.000 eurosh si shpërblim për lënien pas dore të interesave të klubit nga Gjevgjelia dhe të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, e cila kishte organizuar ndeshjen, njoftojnë nga MPB.
Pas pranimit të marrëveshjes, drejtori sportiv, përmes trajnerit, kishte ndikuar te disa lojtarë të cilët, sipas të dhënave, me vetëdije nuk kishin dhënë maksimumin në fushë. Në këtë mënyrë, ndeshja kishte përfunduar me rezultatin 1:2 në favor të “Bashkimit”, gjë që i kishte siguruar tre pikë vendimtare dhe renditjen në vendin e tretë në Ligën e Dytë të Maqedonisë, pozitë që u mundësonte të luftonin në barazh për Ligën e Parë.
Njëri prej të dyshuarve është arrestuar dhe dërguar në Prokurorinë Themelore Publike të Gjevgjelisë, ku do të sigurohen prova shtesë për procedurën e mëtejshme. MPB ka njoftuar se hetimet vazhdojnë dhe nuk e përjashton mundësinë e kallëzimeve të reja nëse konstatohet përfshirja e personave të tjerë në këtë rast.