Dy policë të Kërçovës pas hekurave – të dyshuar si organizatorë të vjedhjes së artarisë në Gostivar
Dy pjesëtarë të policisë nga Kërçova janë arrestuar si të dyshuar kryesorë për grabitjen e armatosur të një artarie në Gostivar, ku më 10 tetor 2025 u vodhën 18 kilogramë ar. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se kundër tyre është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Gostivarit për veprën penale “vjedhje”, sipas nenit 237 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve, dy policët e dyshuar nga Sektori i Punëve të Brendshme në Kërçovë kanë bashkëpunuar me persona të tjerë, ende të panjohur, për të planifikuar dhe kryer vjedhjen. Ata kanë marrë pjesë në përgatitjet paraprake, përfshirë vëzhgimin e lokacionit dhe të aktivitetit të artarisë dy ditë para ngjarjes.
Në ditën e vjedhjes, policët kanë përdorur një veturë zyrtare të MPB-së për të siguruar rrugën për dy automjetet që janë përdorur nga grupi gjatë grabitjes. Njëra prej tyre më pas është gjetur e djegur në rrugën magjistrale Gostivar–Dibër, ndërsa tjetra është gjetur e braktisur në Kërçovë, pranë tregut të bagëtive.
MPB njofton se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike të Gostivarit po ndërmerren masa intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë./VOXAL/