Durmishi: Rritja ekonomike prej 3.8% tregon se po ecim në drejtimin e duhur
Ekonomia e vendit po hyn në një fazë të re zhvillimi. Sipas të dhënave të fundit të Entit shtetëror të statistikave, Bruto Prodhimi Vendor është rritur me 3.8%, ndërsa investimet janë faktor kyç i kësaj rritjeje që po e forcon bazën ekonomike të vendit.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në rrjetet sociale e cilësoi këtë si një lajm pozitiv për qytetarët dhe bizneset. Në postimin e tij, Durmishi theksoi se rritja e investimeve nënkupton vende të reja pune, stabilitet më të madh për ekonominë dhe mundësi të reja për të rinjtë që duan ta ndërtojnë të ardhmen në vend.
“Kjo është dëshmi e qartë se po ecim në drejtimin e duhur. Fokusi ynë mbetet i pandryshuar: një ekonomi që u shërben qytetarëve, biznese që rriten dhe vende pune që happen”, shkroi ministri Durmishi.
Sipas tij, rezultatet pozitive janë vetëm fillimi i një cikli të ri zhvillimor që Qeveria ka vendosur të udhëheqë me masa konkrete dhe politika aktive për nxitjen e punësimit dhe mbështetjen e sektorit privat.
“Kur ekonomia rritet, rritet edhe shpresa e njerëzve tanë”, shtoi Durmishi. Rritja prej 3.8% vjen si sinjal i qartë se ekonomia është në ngjitje, ndërsa politikat e reja po japin efektet e para konkrete në terren.