Durmishi: Rritja e pagës minimale duhet të bazohet në marrëveshje dhe në kapacitetet reale të ekonomisë
Në seancën e sotme të pyetjeve të deputetëve, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por një vendim i tillë duhet të bëhet në bazë të marrëveshjeve trepalëshe dhe parametrave ekonomikë të përcaktuar me ligj.
Durmishi rikujtoi se paga minimale nuk mund të caktohet sipas dëshirave politike apo konferencave partiake, por llogaritet sipas formulës që përfshin 50% të rritjes së pagës mesatare dhe 50% të rritjes së shpenzimeve të jetesës, si dhe një minimum prej 57% të pagës mesatare neto. Ai akuzoi opozitën për premtime të parealizuara, duke theksuar se “praktika e tyre ishte evropiane në fjalë, por ballkanike në realizim”.
Ministri theksoi se krahasimet e pagës minimale duhet të bëhen sipas metodologjisë evropiane, pra në shumën bruto, dhe shtoi se sipas Eurostatit, Maqedonia e Veriut qëndron në nivel të mesëm në rajon para Shqipërisë, Serbisë dhe Bullgarisë, por pas Kroacisë dhe Sllovenisë.
Durmishi paralajmëroi se rritjet e shpejta dhe pa bazë ekonomike të pagës minimale do të godisnin më së shumti ndërmarrjet e vogla, duke shkaktuar pushime nga puna dhe presione inflacionare.
Sa i përket shpenzimeve të jetesës, ministri hodhi poshtë pretendimet se ato kanë “shpërthyer”, duke u mbështetur në të dhënat e Entit të Statistikave, sipas të cilave inflacioni vjetor në tetor 2025 ka qenë 4,49%, ndërsa në nivel mujor ka pasur ulje prej 0,2%. Ai përkujtoi se gjatë viteve 2022 dhe 2023 inflacioni ishte dukshëm më i lartë përkatësisht 14,2% dhe 9,4%.
Durmishi theksoi se Qeveria ka ndërmarrë masa konkrete për të mbrojtur standardin e qytetarëve, si çmime të rregulluara, subvencione dhe mbështetje për kategoritë e rrezikuara, përfshirë edhe shportën shkollore që sipas tij solli kursime deri në 2.000 denarë për familjet.
Ai gjithashtu akuzoi qeveritë e kaluara për uljen e prodhimit vendor të ushqimit dhe varësinë nga importet, duke sqaruar se një pjesë e inflacionit lidhet me ndryshimet e çmimeve në bursat ndërkombëtare dhe situatat gjeopolitike.
“Nëse mendoni se Ministria nuk bën asgjë, e keni fjalën për vitet kur me të vërtetë nuk bëhej asgjë”, deklaroi ministri, duke theksuar se politikat aktuale janë të bazuara në strategji, shifra dhe objektiva afatgjata.