Durmishi për qeverisjen e VLEN-it: Mundej më shumë, por bëmë më shumë se BDI-ja për 20 vjet
Në vetëm një vit qeverisje kemi bërë më shumë punë se sa BDI ka bërë për 20 vite, thotë Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi duke folur për vitin e parë të qeverisjes së VLEN-it, në një intervistë për VOXAL.
“Për një vit, kemi sjell ligj për shkollën e mesme “Isa Beu” me ç’rast, kjo shkollë e mesme nga shatori do të njihet institucionalisht dhe të gjithë të rinjtë dhe të rejat që do të shkojnë në këtë shkollë, do t’ju njihen diplomat. Kemi sjellur ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një tjetër arritje është ajo që e përmenda, edhe menaxhimi me planin operativ, ku ka qenë një masë e prekshme për të gjithë qytetarët”, tha Durmishi.
Ai tha se megjithatë ka akoma punë që duhet bërë.
“A ka ende punë për të bërë, normalisht që ka, për të gjithë atë rrënim që e kanë bërë ata për 20 vite, nuk mundet që për një vit ne ta rregullojmë”, theksoi Durmishi.
Ai fajësoi Qeverinë e kaluar për shumë probleme të trashëguara me të cilat akoma përballen qytetarët.
“Kemi bërë edhe shumë punë tjera, ashtu siç e përmenda, ku për çdo vit do të ndajmë për komunat nga 250 milion euro, që do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve. E shumë e shumë punë tjera, të cilat është dashur me kohë që të realizohen, dhe jo që të vijmë në një fazë ku ne duhet të flasim për zhvillim të ekonomisë, për vende të reja të punës, ne ende kemi probleme fundamentale, probleme të mesjetës, të cilat nga një keqqeverisje për 20 vite, i kemi trashëguar dhe duhet që t’i realizojmë”, tha Durmishi./VOXAL/