
Durmishi: Badinteri nuk është pronë e askujt, Filkovi synon pikë politikë
Badinteri nuk është pronë e askujt, ndërsa Ministri i Drejtësisë Igor Filkov synon pikë politike para zgjedhjeve. Kështu Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, e komenton deklaratën e ministrit të ZNAM-it rreth rishikimit të Badinterit, gjatë një interviste për VOXAL.
Durmishi thekson se Badinteri është një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit dhe e garanton barazinë e të gjitha komuniteteve.
“Nuk e di cila ka qenë intenca dhe cila ka qenë arsyeja që ministri ka folur për rishikimin e Badinterit. Mendoj që e ka thënë për poenë politikë, për politikë ditore, mendon që do të shtrojë ndonjë çështje të madhe para zgjedhjeve. Por, një gjë duhet ta dijë qartë që parimi i Badinterit është kategori kushtetuese dhe një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka garantuar bashkëjetesën e qytetarëve dhe gjithë etnive në Maqedoni të Veriut. Badinteri nuk është pronë e dikujt, ai garanton barazinë e të gjitha komuniteteve në vend”, tha Ministri Durmishi për VOXAL.
Ai tha se këto deklarata po shfrytëzohen nga BDI-ja, edhe pse kjo parti e ka përdorur Badinterin për të votuar projekte si Shkupi 2014, kur ishte në kulmin e fuqisë së saj elektorale.
“Le të mos harrojmë që këta të cilët menjëherë e shfrytëzuan dhe bënë bujë nëpër media, të cilët kanë problem me identitetin politik të tyre, që Badinterin e shfrytëzuan për marketing politik disa vite më parë, kur morën 153 mijë vota duke bërë marketing politik dhe duke e shfrytëzuar Badinterin. Dhe më pastaj, duke votuar, e dini edhe ju fort mirë, Shkupin 2014, që shkuan aq larg saqë tentuan që edhe luanët t’i bëjnë simbole shqiptare, duke sjellë historianë nga Durrësi që t’i argumentojë”, theksoi Durmishi.
Në intervistën për VOXAL, e cila publikohet e plotë të shtunën, Durmishi flet edhe për masat e Ministrisë së Ekonomisë, situatën politike në vend dhe zgjedhjet lokale të tetorit. /VOXAL/