Kërkohet paraburgim për drejtorin dhe nëpunësin e Higjienës Komunale
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj dy personave të punësuar në ndërmarrjen publike “Komunale Higjienë” – Shkup, mes tyre drejtori i përkohshëm dhe përgjegjësi për mbeturina. Ata dyshohen për veprën penale “Rrezikim të mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”, sipas nenit 230, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për menaxhim me mbeturina dhe me detyrimet që dalin nga programet operative për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit. Ata kanë dështuar të sigurojnë mbikëqyrje të rregullt të procesit të mbledhjes dhe transportimit të mbeturinave, si dhe kanë lejuar menaxhim të papërshtatshëm me mbeturinat, çka ka sjellë krijimin e deponive të vogla në hapësira publike dhe rrugë gjatë këtij muaji.
Nga këto veprime, sipas hetimeve, është dëmtuar cilësia e tokës, ajrit dhe ujit, ndërsa është rrezikuar jeta dhe shëndeti i qytetarëve, për shkak të mundësisë së përhapjes së sëmundjeve infektive ose të tjera.
Këto konstatime janë vërtetuar përmes kontrolleve të jashtëzakonshme të inspektorëve lokalë të mjedisit, të cilët kanë vepruar me udhëzim të Prokurorisë, si dhe përmes ekspertizës së Institutit për Shëndet Publik, që ka konstatuar ndikim të drejtpërdrejtë të mbeturinave ndaj shëndetit publik.
