DOSJA EPSTEIN | Kush dha leje për transportin e trurit në ShBA?
Shteti ka nisur hetim gjithë përfshirës për rastin e transportimit të trurëve në SHBA. Pas pretendimeve që dalin nga dokumentet e publikuara në rastin e Xhefri Epsteinit, sipas të cilave mostra të indeve të trurit nga persona të ndjerë nga vendi dyshohet se janë transportuar në vitet ’90-ta për qëllime kërkimore-shkencore në Shtetet e Bashkuara, Prokuroria Publike ka hapur lëndë sipas zërit publik.
“Për shkak të seriozitetit të informacioneve, të cilat përfshijnë përpunimin, ngrirjen dhe transportin ndërkombëtar të indeve njerëzore, si dhe çështje të mundshme lidhur me përputhshmërinë me standardet ligjore dhe etike, Prokuroria do të verifikojë të gjitha indiciet për ndonjë vepër të mundshme penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike. Lënda i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
“Prokuroria Publike për Krim të Organizuar duhet të ndërmarrë veprime për mbledhjen e informacioneve zyrtare nga organet kompetente, institucionet dhe institucionet shëndetësore, me qëllim të përcaktimit të veprimeve të mundshme të paligjshme me inde njerëzore dhe biomateriale, lëshimeve apo keqpërdorimeve gjatë marrjes së lejeve dhe pëlqimeve”, thuhet nga Prokuroria. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk dëshirojë të jhep informacione në lidhje me këtë rast. Ai në një deklaratë për mediat, tha se bëhet fjalë për një rast nga disa dekada më parë dhe se hetimi i institucioneve kompetente duhet të japë të gjitha përgjigjet.
“Kjo është gjendja e cila ka ndodhur para disa dekadave në bazë të disa dokumenteve të cilat i pamë, ashtu që të lëmë prokuroria dhe hetimi të japin përgjigje për shumë pyetje. Në atë moment që do të kemi diçka për të ndarë do të ndajmë si informacion për publikun”, theksoi Mickoski
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, informoi në lidhje me atë se çfarë do të hetojë grupi i punës i cili do ta hetojë rastin dhe do të verifikojë saktësinë e të gjitha pretendimeve. Hetimi duhet të përcaktojë nëse familjet e personave të ndjerë kanë dhënë pëlqim për përdorimin e indeve, si dhe nëse institucionet kanë qenë të informuara dhe kanë miratuar një lloj të tillë transporti. Aliu theksoi se vendi nuk guxon të mbetet i përfshirë në një skandal pa një hetim të plotë dhe të pavarur.
Nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta për veprimtari kërkimore-shkencore, por se nga Fakulteti i Mjekësisë kanë marrë informacione se puna me material biologjik me karakteristika gjenetike është rreptësishtë e rregulluar me Ligjin për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, Rregulloren për Hulumtime Klinike dhe udhëzimet për transportin, paketimin dhe shënjimin e materialeve biologjike. Ministria kujton se në periudhën e përmendur dokumentacioni ruhej së paku 15 vjet, ndërsa që nga viti 2018 obligimi ligjor është 25 vjet. Procedurat për transportin e indeve kanë përfshirë: pëlqim të informuar nga familja, miratim nga komisioni etik, leje për transport të indeve nga Byroja e atëhershme e Barnave, marrëveshje formale ndërmjet institucionit shkencor vendor dhe atij të huaj, me protokolle të detajuara për mbledhjen, transportin dhe përpunimin e mëtejshëm shkencor.
Në dokumentet që Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka publikuar publikisht, e që kanë të bëjnë me rastin e miliarderit të ndjerë Xhefri Epstein, i dënuar për trafikim qeniesh njerëzore, pedofili dhe përdhunim, përmendet edhe Maqedonia në kontekst të një hulumtimi shumëvjeçar shkencor për vetëvrasjet. Ky hulumtim është udhëhequr nga shkencëtarë amerikanë në bashkëpunim me Universitetin “Columbia”, të cilët kishin krijuar një bankë trurësh njerëzorë për qëllime kërkimore.
Në koleksionin prej rreth 1.000 trurësh, kishte tru të personave që kishin kryer vetëvrasje, por edhe mostra kontrolli. Në këtë kontekst përmendet edhe Maqedonia si një nga vendet që ka kontribuar me mostra, përmes bashkëpunimit me një anëtar të Universitetit “Columbia” me origjinë nga Maqedonia. Në tekst thuhet se trurët nga Maqedonia janë marrë pas vdekjes së personave përkatës, janë ngrirë menjëherë, janë transportuar në Shtetet e Bashkuara për qëllime shkencore dhe janë shënuar dhe arkivuar në mënyrë të rregullt. Ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksej Duma, dhe profesori Gorazd Rosoklija deklaruan se projekti është realizuar me të gjitha miratimet e nevojshme etike dhe me pëlqime të shkruara nga familjet. /Koha/