Dorëheqje në kryesinë e BBC-së pas dokumentarit për Donald Trump
Dy drejtues të lartë të BBC-së, drejtori i përgjithshëm Tim Deivi dhe drejtoresha ekzekutive për lajme, Debora Ternes, kanë dhënë dorëheqje pas kritikave për mënyrën se si transmetuesi publik britanik kishte redaktuar një pjesë të fjalimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump para sulmit ndaj Kongresit në janar të vitit 2021.
Në dokumentarin e BBC-së ishte hequr pjesa ku Trump u bënte thirrje mbështetësve të tij për një protestë paqësore, gjë që më vonë u cilësua si manipulim i përmbajtjes. Një dosje e brendshme e BBC-së, e përgatitur nga një këshilltar për standarde dhe etikë, e kishte vlerësuar redaktimin si “tërësisht të gabuar” dhe kishte ngritur shqetësime serioze për paanshmërinë e kanalit publik.
Në deklaratën e tij, Tim Deivi pranoi se “BBC nuk është e përsosur dhe duhet gjithmonë të mbetet e hapur, transparente dhe e përgjegjshme”, duke shtuar se debatet e fundit rreth raportimit kanë ndikuar në vendimin e tij për të dhënë dorëheqje. Ai theksoi se vendimi ishte “plotësisht personal” dhe se do të punojë me bordin për një tranzicion të rregullt.
Nga ana tjetër, Debora Ternes tha se çështjet që lidhen me dokumentarin për Trump-in “kanë arritur në një pikë që po dëmton imazhin e BBC-së, institucion që e dua shumë”, duke shtuar se si drejtuese e redaksisë ajo mban përgjegjësinë e plotë. Ajo megjithatë hodhi poshtë pretendimet se BBC News është institucionalisht i njëanshëm.
Skandali vjen pas një sërë kritikash ndaj BBC-së për mungesë neutraliteti në raportimin e luftës midis Izraelit dhe Hamasit, si dhe pas disa skandaleve të mëparshme që përfshinin akuza për abuzime dhe sjellje të pahijshme nga prezantues të njohur.
Pas publikimit të lajmit, Donald Trump reagoi duke përshëndetur dorëheqjet dhe duke i quajtur “shpalosje të gazetarëve të korruptuar” që, sipas tij, “kishin tentuar të ndikonin në zgjedhjet presidenciale amerikane”.
Dorëheqjet e Deivit dhe Ternes shihen si pasojë e presionit të madh publik dhe institucional, në një kohë kur BBC, si transmetues publik kombëtar i financuar nga pagesa e detyrueshme e qytetarëve britanikë, është e detyruar me ligj të ruajë paanshmërinë në çdo përmbajtje që transmeton.