
Doganierët kapin dron! Shihni çfarë kanë kapur këto ditë
Gjatë javës së kaluar, zyrtarët doganorë zbuluan disa përpjekje për kontrabandë të mallrave të ndryshme, me ç’rast u sekuestruan përkohësisht cigare, mallra të falsifikuara, një dron, një targë automjeti dhe dokumente për një rimorkio kampingu.
Në dy raste të ndara në pikat kufitare Bogorodicë dhe Dojran, u sekuestruan gjithsej 22 steka cigaresh pa pulla akcize.
- Në rasin e parë, u kapën 12 steka cigare gjatë kontrollit të një kamioni-cisternë që po hynte në vend në pikën kufitare Bogorodicë. Cigaret u gjetën në dy qese plastike, të vendosura në pjesën e sipërme të cisternës, pranë hapësirës së mbushjes. Vlera e vlerësuar e cigareve është 16.200 denarë, ndërsa detyrimet e shmangura kapin shifrën 27.195 denarë.
- Në rasin e dytë, në pikën kufitare Dojran, gjatë kontrollit të një kamioni që po hynte në vend, u sekuestruan 10 steka cigare. Ato ishin fshehur në kabinën e kamionit brenda një qeseje plastike. Vlera e vlerësuar e cigareve është 6.480 denarë, ndërsa detyrimet e shmangura kapin shumën prej 15.896 denarë.
Njësitë mobile doganore, në pikën kufitare Bllacë, parandaluan një përpjekje për kontrabandim të një droni të markës MAVIC 2 ENTERPRISE me bateri, karikues dhe kontrollues, me vlerë të vlerësuar prej 159.660 denarë.
Në dy raste të tjera, njësitë mobile doganore sekuestruan produkte të ndryshme me shenja të markave tregtare të mbrojtura:
- Në rasin e parë, u sekuestruan 15 makina elektrike për fëmijë me logo të markave tregtare të mbrojtura, për shkak të dyshimeve për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
- Në rasin e dytë, u kapën gjithsej 1.190 fletore, 70 çadra për fëmijë dhe 1.390 lodra, të gjitha me shenja të markave tregtare të mbrojtura, gjithashtu të sekuestruara për shkak të dyshimit për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Në pikën kufitare Tabanovc, gjatë kontrollit të një automjeti që po hynte në vend, njësitë mobile doganore zbuluan një targë britanike dhe leje qarkullimi për një rimorkio kampingu. Sendet e padeklaruara u gjetën nën qilimin pas sediljes së pasagjerit dhe në xhepin e pasëm të së njëjtës sedilje.