
Dogana e RMV në maj ka mbledhur 177.3 milionë euro
Administrata Doganore në maj ka mbledhur të ardhura në vlerë prej 177.3 milionë eurosh, që është 7.3 për qind ose 12.1 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këtë rritje ka pasur rritje të të ardhurave në çdo bazë. Të ardhurat nga taksa e automjeteve shënojnë rritje prej 16.7 për qind, nga dogana për 22.7 për qind dhe nga akciza për 5.2 për qind. Rritja e të ardhurave i dedikohet rritjes së importit të deklaruar të produkteve të duhanit – ose 31 për qind më shumë të ardhura se vitin e kaluar, dhe rritjes së importit të deklaruar të automjeteve – ose 20 për qind më shumë të ardhura se vitin e kaluar, theksoi drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikollovski, sot në konferencë shtypi.
Kontrollet e shtuara të importeve të makinave, dhe hetimet paraprake për vepra penale me automjete të përdorura që rezultuan me 41 kallëzime penale të dorëzuara nga Sektori i Kontrollit dhe Hetimeve, dhe kjo vetëm këtë vit, thotë drejtori Nikollovski, dhanë efektin e tyre përmes rritjes së importit të deklaruar të automjeteve dhe rritjes së arkëtimit të të ardhurave në këtë bazë.
Nikollovski theksoi se të njëjtat janë edhe arsyet për rritjen e të ardhurave edhe në nivel kumulativ.
“Nga fillimi i vitit deri në fund të majit, janë mbledhur të ardhura prej 847.6 milionë eurosh, ose 38.6 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja më e madhe e të ardhurave vjen nga importi i deklaruar i produkteve të duhanit, ku janë mbledhur gjithsej 70 milionë euro vetëm në këtë bazë, ose 11 milionë euro më shumë se vitin e kaluar, si dhe nga importi i deklaruar i automjeteve, ku janë mbledhur të ardhura prej 82 milionë eurosh, që është 8.5 milionë euro më shumë se vitin e kaluar,” theksoi Nikollovski.
Efikasiteti dhe profesionalizmi më i madh i Administratës Doganore, thotë ai, është më shumë se i dukshëm. Ai theksoi se rezultate të tilla të suksesshme nënkuptojnë një shoqëri më të sigurt, dhe nënkuptojnë më shumë para në Buxhet për shkolla të reja, çerdhe të reja, spitale të reja, autostrada, paga dhe pensione më të larta.