“Do t’ju ndjekin 63 hije”: familjarët e viktimave të “Puls”-it erdhën me një banderolë të madhe para gjykatës
Prindërit vendosën pankartën me fotot e të vdekurve me mbishkrimin “16.03.2025 – Do t’ju ndjekin 63 hije – çdo vështrim kërkon drejtësi” në një pjesë të rrethojës metalike të sigurisë rreth gjykatës në Idrizovë. Policia që siguronte zonën përreth gjykatës fillimisht tha se nuk u lejohe atyre ta vendosnin banderolën, por pas konsultimeve lejuan që ajo të vendosej në pjesën e jashtme të gardhit, përcjell Nistori.
Prindërit dhe familjarët e të vdekurve nga zjarri në kabarenë e ashtuquajtur “Puls” në Koçan erdhën në seancën e sotme me pankartën me fytyrat e më të dashurve të tyre që humbën jetën në tragjedi.
Pankarta është vendosur përballë parkingut nga vijnë të akuzuarit, përfshirë ata në paraburgim që sillen me furgona policie.
“Ne e sollëm banderolën për t’i kujtuar ‘vrasësit’ se çfarë kanë bërë, sepse ata thanë në seancën e mëparshme se nuk ndjenin asnjë faj”, tha Svetllana Stojanov, nëna e Andrej Stojanov, i cili vdiq në “Puls”.
Julia Zlatkova, nëna e të ndjerit Andrej Zlatkov, po ashtu tha se sipas tyre është kontradiktore që asnjë nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajin.
Me fjalët hyrëse të disa prej të akuzuarve, sot duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbetën të plagosur mbi 200. Në seancën e së martës, të 35 personat e akuzuar u deklaruan të pafajshëm. Tri kompanitë e akuzuara mohuan akuzën.
Pronari i “Puls”, Dejan Jovanov – Deko, i cili është i akuzuari i parë në këtë rast, në një deklaratë emocionuese tha se po ta dinte se objekti kishte të meta, do t’i kishte hequr menjëherë.
Deri më tani janë mbrojtur pesë nga të pandehurit. Ata ia hedhin fajin njëri-tjetrit, por edhe institucioneve për mosreagimin në kohë. Mbrojtja e të akuzuarit Grozdan Millkovski tha se ai nuk e dinte se objekti që ia kishte dhënë Dejan Jovanov – Deko do të përshtatej në hapësirë për biznes katering. Avokati Dimçe Ristov, mbrojtës i të akuzuarës Millka Edrovska, në fjalën hyrëse tha se me provat që do të paraqesin gjatë procedurës do të vërtetojnë se ajo nuk është aspak fajtore për zjarrin.
Për zjarrin në “Puls”, përveç pronarit, akuzohen vëllai dhe djali i tij, ish-ministra, drejtorë institucionesh dhe inspektorë. /Nistori/