Dimër i vështirë: çmimet e energjisë dhe druve në rritje
Ngrohje, e lirë por e mirë. Ngrohje qendrore, energji elektrike, dru zjarri, peleta ose diçka tjetër. Këto janë sigurisht sfidat kryesore çdo vit nga mesi i tetorit deri në gjashtë deri në shtatë muajt e ardhshëm, aq sa zgjat zakonisht sezoni i ngrohjes.
Të dhënat më të fundit tregojnë se më shumë se gjysma e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i ngrohin shtëpitë e tyre me dru zjarri, dhe rreth një e treta me energji elektrike ose peleta. Përqindja më e vogël është e atyre që përdorin energji termike ose ngrohje qendrore.
Sipas statistikave, shumica e familjeve në vend nuk kanë ngrohje qendrore. Gati dy të tretat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut apo 60 për qind i ngrohin shtëpitë e tyre me dru zjarri, 29 për qind me energji elektrike dhe vetëm tetë për qind janë të lidhur me ngrohje qendrore. Ekspertët e energjetikës thonë se harxhimet për ngrohjen e amvisërive varen edhe thellësitë e xhepit që mundësojnë komfor më të madh apo më të vogël të banimit, prej mënyrës së jetesës, ngrohjes tërë ditore apo vetëm pasdite deri në orët e vona të mbrëmjes, jetesës në fshat apo qytet, ngrohjes së një apo më shumë hapësirave të banimit, izolimit të mureve të banesës apo shtëpisë, periudhës më të gjatë me temperatura më të ulëta e kështu me radhë. Vlerësohet se ngrohja me dru zjarri është ende më e qëndrueshme ekonomikisht, dhe me energji elektrike është më miqësore me mjedisin në mungesë të gazit si burim për ngrohje.
Andaj, zgjedhja e burimit të ngrohjes bëhet sipas mundësive financiare si dru, peleta, energji elektrike ose burim tjetër energjie. “Ngrohja me dru është një mënyrë tradicionale për të ngrohur shtëpitë, por me ndotjen e ajrit në rritje, pyetja nëse është zgjedhja më e mirë po shtrohet gjithnjë e më shumë. Ndërsa druri konsiderohet një burim energjie i rinovueshëm, djegia e tij, veçanërisht në zonat urbane, kontribuon në nivele të larta të grimcave të dëmshme dhe monoksidit të karbonit, veçanërisht nëse përdoret dru i lagësht. Në zonat urbane, djegia e druve të zjarrit është një nga fajtorët kryesorë të ndotjes gjatë muajve të dimrit. Stufat e vjetra dhe druri i tharë dobët e përkeqësojnë më tej situatën, duke rritur emetimet e grimcave PM-10 dhe PM-2.5 që janë të dëmshme për shëndetin. Për të zvogëluar këtë ndotje, propozohen alternativa të tilla si kondicionerët inverter, stufat me pelet dhe gazi natyror. Përveç kësaj, tharja e drurit para përdorimit dhe përmirësimi i efikasitetit të stufave mund të zvogëlojë ndjeshëm ndotjen”, thotë profesori i energjetikës, Risto Ciconkov.
Sipas tij, në zonat rurale ku kushtet për ruajtjen dhe tharjen e drurit janë më të mira, përdorimi i drurit mund të mbetet një opsion i pranueshëm, por vetëm nëse ndiqen praktikat e mira për djegien e tij. Mënyra më e mirë për të maksimizuar përdorimin e drurit do të ishte në termocentralet e kombinuara të nxehtësisë dhe energjisë, në vend të djegies direkte në familje. Në fund të fundit, përgjigjja e pyetjes “Ngrohja me dru, po apo jo?” varet nga kushtet dhe konteksti. Në qytete, është i nevojshëm një zhvendosje drejt zgjidhjeve më miqësore me mjedisin, ndërsa në zonat rurale, ngrohja me dru mund të mbetet pjesë e traditës, por me modernizim dhe efikasitet më të mirë, shton ai.
Zakonisht, sezoni i ngrohjes zgjat nga mesi i tetorit deri në fund të marsit. Megjithatë, për shkak të ndryshimeve klimatike, dimrat kanë qenë më të ngrohtë vitet e fundit dhe harxhohet më pak.
Megjithatë, për shumicën, kondicionerët inverter janë në vendin e parë, kryesisht për shkak të çmimit të energjisë elektrike, i cili është relativisht i ulët krahasuar me metodat e tjera të ngrohjes, dhe më pas të ndotjes së reduktuar.
Ekspertët shpjegojnë se shumë më e rëndësishme sesa zgjedhja e një elementi ngrohës është izolimi i vetë shtëpisë, kjo do të thotë kursime deri në 70 ose 80 për qind.
Vetëm banorët e Shkupit, mbi 60,000 familje, kanë privilegjin të ngrohen me ngrohje qendrore. Peletet nuk janë aq të leverdishme si më parë, një qese mund të blihet deri 330 denarë, ndërsa një metër kub dru shitet afër 5 mijë denarë.
Përllogaritjet tregojnë se një amvisëri në Maqedoninë e Veriut në mesatare harxhon prej 6 deri 10 metra dru që kushton afërsisht 70-80 euro m2, apo me fjalë tjera, për ngrohje harxhohen prej 420 deri 800 euro. Mirëpo, harxhimet për ngrohje me dru mund të shkojnë edhe afër 1000 euro në varësi prej sezonit të ftohtë apo ngrohjes së më shumë dhomave. Ngrohja me rrymë kushton më lirë apo më shtrenjtë në varësi prej përdorimit të aparateve të ndryshme për ngrohje dhe fillon prej 5000 deri 10.000 denarë në muaj në mesatare. Mirëpo, në rast se ngrohen edhe dhomat shtesë, faturat mund të arrijnë edhe 15 mijë edhe më shumë denarë.
Ngrohja e një sipërfaqeje prej 60 metrash katrorë me një sobë me pelet kushton nga 4000-5000 denarë në muaj në varësi të kostos së peletit. Një sobë me pelet konsumon nga 10 deri në 15 kilogramë pelet në ditë, dhe çmimi i peletave, varësisht nga cilësia dhe pesha, kushton deri 330 denarë për 15 kilogramë. Kjo do të thotë se kostot mujore arrijnë edhe 80 euro në sezonin e ngrohjes.
Ndryshe, sfidë në vend mbetet edhe rritja e kursimit të energjisë si dhe shfrytëzimit të saj më efikas. Vlerësimet e organizatës “Habitat – Maqedoni”, tregojnë se banesave kolektive në Maqedoni ju nevojiten investime prej së paku 300 milionë euro që do të shpaguhen në periudhë prej 5 deri 8 vjet, me kursimin prej 30 deri 50 për qind të konsumit të energjisë për ngrohje dhe ftohje, që paraqet 60-70 për qind të konsumit të përgjithshëm të amvisërive në Maqedoni. Gjithashtu, edhe ulja e konsumit të energjisë në amvisëri e zvogëlon dukshëm emetimin e dioksidit të karbonit dhe ndotësve të tjerë të ajrit. Me fjalë të tjera, investimi në efikasitet energjetik ul edhe ndotjen si problem të madh në stinën e dimrit në Maqedoni. /Koha/