Dështon formimi i qeverisë së re, Albin Kurti nuk merr votat e nevojshme
Propozimi i Albin Kurtit për një mandat të ri 4-vjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës në seancën e mbajtur të dielën në afatin e fundit ligjor të vënë nga Gjykata Kushtetuese.
Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se tani përgjegjësia kalon sërish te presidentja Vjosa Osmani dhe mbylli punimet e seancës së sotshme.
Në fjalën e mbajtur para deputetëve të kuvendit para votimit, Kurti tha se vonesa në konstituim të Kuvendit ishte e pashembullt, dhe që ajo ka ndikuar në mbarëvajtjen e shumë proceseve.
Kurti tha se partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë treguar gatishmëri për të bashkëqeverisur prandaj situata ka ardhur deri këtu.
“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”, u shpreh Kurti.