
Deputetja Imerlie Saliu: VLEN votoi PRO rezolutës për krizën humanitare në Gaza
Deputetja e koalicionit VLEN, Imerlie Saliu, ka reaguar pas votimit të rezolutës për krizën humanitare në Gaza, duke sqaruar se pavarësisht se propozimi erdhi nga opozita, ajo bashkë me kolegët e saj votuan PRO.
“Pavarësisht se propozimi për Rezolutën për krizën humanitare në Gaza erdhi nga opozita, unë bashkë me kolegët e VLEN-it votuam PRO sepse për ne kjo nuk është çështje politike, por njerëzore”, shkroi Saliu.
Ajo theksoi se nga 16 deputetët që votuan pro, 5 ishin nga VLEN, duke shtuar se e vërteta nuk duhet selektuar. “Unë personalisht gjithmonë kam qenë kundër gjenocidit në Gaza dhe këtë qëndrim e kam shprehur publikisht, me zë të qartë e pa kalkulime”, ka shkruar ajo.
Saliu e cilësoi situatën në Gaza si gjenocid dhe krim kundër njerëzimit, duke theksuar se kjo çështje nuk duhet të përdoret për përfitime politike. “Me Gazan nuk bëhet fushatë politike, Gaza është plagë e hapur dhe turp i gjithë njerëzimit!”, përfundoi deputetja e VLEN-it.