Deputetët i votuan ndryshimet, Qyteti i Sigurt do të fillojë të zbatohet nga 1 shkurti
Deputetët e Maqedonisë së Veriut votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet që sistemi Qyteti i Sigurt të hyjë në fuqi nga 1 shkurti, raporton Portalb.mk.
Gjithsej votuan 100 deputetë, 81 “për” dhe 19 “kundër.
“Konstatoj se Kuvendi e miratoi Ligjin për ndryshuime dhe plotësimin e Ligjit për Kundërvajtje “, tha Gashi.
Amendamentet u shqyrtuan dhe u votuan me procedurë të shkurtuar.
Deputetët e BDI-së dhe LSDM-së ishin kundër, ndërsa partitë e tjera në sallën e parlamentit mbështetën nismën legjislative.
Ndryshe, kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026. Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.