Del raporti final i vëzhguesve të ODHIR-it për zgjedhjet e 11 majit!
OSBE-ODIHR sot publikoi raportin final për zgjedhjet e kaluara parlamentare në Shqipëri të 11 Majit. Në dokument thuhet:
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta.
Më tej, evidentohet se “Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë për kandidatët që ishin ndërkohë në detyrë’.
Çështje të tjera shqetësuese, thotë OSBE ODIHR përfshijnë raportimet për shit-blerje votash, tentativat për të ndikuar pa të drejtë tek zgjedhësit e margjinalizuar, si dhe pretendime për ndikim të elementëve kriminalë në disa parti politike.
Në përgjithësi, Votimi nga Jashtë theksohet në raport, u organizua teknikisht mirë, duke pasur parasysh edhe që numri i regjistrimeve rezultoi të ishte shumë më i madh sesa pritej nga KQZ-ja.
Aty evidentohet se për herë të parë, SPAK-u ngriti një task forcë hetimore dhe një platformë online për raportimin e veprave penale zgjedhore.
Deri më 10 maj, nga 138 raportime për pretendime për krime zgjedhore janë nisur 39 procedime penale, shumica e të cilave kanë të bëjnë me akuza për korrupsion pasiv dhe aktiv.
Konkretisht, SPAK-u ka nisur tetë procedime ex officio. Bashkëpunimi midis SPAK-ut, KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, bazuar në një protokoll ndërinstitucional mundësoi shkëmbimin e informacioneve lidhur me krimet zgjedhore.