Çmimi i naftës bie nën 100 dollarë për fuçi
Çmimi i naftës në tregjet botërore ka rënë nën kufirin prej 100 dollarësh për fuçi, në një zhvillim që lidhet kryesisht me rritjen e shpresave për negociata të mundshme paqeje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, nafta mbetet rreth 36 për qind më e shtrenjtë krahasuar me periudhën para përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, çmimi i naftës së tipit “Brent” aktualisht sillet rreth 98.5 dollarë për fuçi, pasi një ditë më parë kishte arritur në 103.65 dollarë pas zhvillimeve që lidhen me Ngushticën e Hormuzit. Gjatë natës, çmimi madje ra deri në 96.6 dollarë për fuçi.
Analistët vlerësojnë se edhe pse rënia është më pak se një për qind, çdo lëvizje nën pragun prej 100 dollarësh konsiderohet lajm pozitiv për tregjet dhe konsumatorët. Ndikim në këtë kanë edhe sinjalet për një armëpushim dyjavor, i cili ka ulur përkohësisht tensionet.
Megjithatë, çmimet vazhdojnë të mbeten dukshëm më të larta se para krizës, kur një fuçi “Brent” kushtonte rreth 72 dollarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës në shumë vende.
Në përpjekje për të stabilizuar tregun, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka njoftuar më herët se 32 vendet anëtare kanë rënë dakord të lirojnë 400 milionë fuçi nga rezervat strategjike, ndërsa drejtori ekzekutiv Fatih Birol ka paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet më tej gjatë muajit prill.