Çdo i pesti pushim mjekësor në MPB me parregullsi, FSSh nis gjoba prej 1.2 milionë denarësh
Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSh), me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka kryer kontroll të detajuar mbi pushimet mjekësore të të punësuarve në këtë institucion, duke konstatuar një numër të konsiderueshëm parregullsish.
Sipas njoftimit, kontrolli është realizuar në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe ka përfshirë 80 persona të siguruar, me gjithsej 514 raste pushimesh mjekësore.
Nga këto:
258 raste kanë zgjatur deri në 7 ditë,
171 deri në 15 ditë,
ndërsa 83 raste kanë qenë me kohëzgjatje prej 30 ditësh ose më shumë.
Diagnozat më të shpeshta për dhënien e pushimeve mjekësore kanë qenë:
sëmundjet e sistemit respirator (82 raste),
sëmundjet e sistemit muskulor dhe indeve lidhore (69 raste),
si dhe sëmundjet e sistemit digjestiv (45 raste).
Kontrolli ka identifikuar parregullsi tek 29 persona, të cilët kanë shfrytëzuar gjithsej 236 pushime mjekësore. Nga këto, 100 janë vlerësuar si të dhëna në mënyrë të parregullt, ndërsa 136 si të rregullta.
Në përqindje, parregullsitë përbëjnë rreth 19.5% të të gjitha rasteve të analizuara.
FSSh njofton se kontrollet kanë përfshirë 105 institucione shëndetësore private, kryesisht ordinanca të mjekësisë së përgjithshme, por edhe disa nga fusha e gjinekologjisë, obstetrikës dhe stomatologjisë.
Parregullsi janë konstatuar në 29 institucione shëndetësore, si dhe:
tek 3 specialistë në institucionet publike,
dhe në 2 komisione të vlerësimit mjekësor.
Si shkelje më të shpeshta janë evidentuar:
mosrespektimi i procedurave diagnostike sipas rregulloreve,
si dhe tejkalimi i afateve kohore për pushimet mjekësore.
Për parregullsitë e konstatuara, tashmë janë nisur procedura për sanksione në vlerë të përgjithshme prej rreth 1.2 milionë denarësh.
Nga Fondi theksojnë se kjo është pjesë e kontrolleve të shtuara në sektorin publik, ku në vitet e fundit janë evidentuar dyshime për keqpërdorim të sistemit të pushimeve mjekësore./VOXAL/

