Britania paralajmëron Izraelin se do ta njohë Palestinën shtet në shtator
Britania do ta njohë Palestinën shtet në shtator, nëse Izraeli nuk merr hapa të rëndësishëm për ta ndalur gjendjen e rëndë në Gaza. Këtë e bëri të ditur kryeministri britanik Keir Starmer të martën, raporton Reuters. Ai tha se njohja do të ndodhë para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ai kërkoi që Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet, ta pranojë një armëpushim, të mos marrë pjesë në qeverisjen e Gazës dhe të çarmatoset plotësisht. Deri tani, qeveritë britanike kanë thënë se do ta njohin Palestinën kur të vijë momenti i duhur, por nuk kishin vendosur ndonjë afat apo kushte të qarta. Kjo është hera e parë që Britania cakton një datë konkrete për njohjen e shtetit palestinez.