Brenda një jave pritet zgjidhja për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, paralajmëron Bekim Sali
Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet që brenda një jave të prezantojë zgjidhjen për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Kështu bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili tha se aktualisht janë në përfundim të konsultimeve me ekspertë dhe se po punohet për një pako më të gjerë zgjidhjesh për çështje të ngjashme.
Sali theksoi se ekziston vullnet politik për ta zgjidhur këtë problem shumëvjeçar, duke shtuar se çështja ka mbetur e hapur për shkak të mosveprimit të udhëheqësive të kaluara.
“Jemi në përfundim e sipër të fazës së konsultimit me ekspertë. Unë besoj që shumë shpejtë. Ndoshta, mos të kapemi për afatin kohor, por mund edhe një javë të zgjasë deri në vendimin final të cilin do ta promovojmë në mënyrën e njëjtë besoj sepse që nga fillimi ka patur një vullnet të mirë politik për ta zgjidhur. I cili për fat të keq në periudhën e kaluar, duke patur parasysh udhëheqësitë e mëparshme që kanë patur edhe ingerenca dhe mundësi politike, ka mbetur temë e hapur. Ne po e zgjidhim”, deklaroi Sali.
Ai bëri të ditur se zgjidhja nuk do të kufizohet vetëm te provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, por do të përfshijë edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin institucional dhe përdorimin e gjuhës.
“Por nuk do të jetë vetëm jurisprudenca, do të jenë edhe shumë tema të tjera të cilat duam në pako t’i zgjidhim një herë e përgjithmonë dhe mos të japim arsye që studentët tanë të kenë pakënaqësi ndaj funksionimit institucional dhe trajtimit të tyre”, shtoi zëvendëskryeministri.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është rikthyer fuqishëm në opinionin publik pas protestave të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtës për ta dhënë provimin në gjuhën amtare./VOXAL/