Boçi: Shqiptarët në RMV janë faktor stabiliteti, jo numra statistikorë
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Luçiano Boçi, nga Shkupi porositi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetëm komunitet numerik, por faktor stabiliteti, orientimi pro perëndimor dhe mbështetës të qartë të vlerave euroatlantike.
Boçi tha se qytetarët nuk kërkojnë vetëm fotografi uniteti dhe deklarata politike, por rezultate konkrete, avancim real të Marrëveshjes së Ohrit dhe barazi të prekshme në institucione dhe shoqëri.
“Qytetarët nuk kërkojnë vetëm fotografi uniteti, ata kërkojnë rezultate të prekshme, avancim real të Marrëveshjes së Ohrit, jo përdorimin ceremonial të saj. Kërkojnë barazi reale në administratë, ekonomi, gjuhë, përfaqësim, zhvillim, dinjitet. Shqiptarët në RMV nuk janë thjeshtë një komunitet numerik, ata janë faktor i qenësishëm, faktor stabiliteti, faktor pro perëndimor dhe mbështetës të qartë të vlerave euroatlantike.”, deklaroi Boçi.
Sipas tij, shqiptarët janë një nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet e ardhmja e Maqedonisë së Veriut, duke kontribuar me sakrificë, mençuri dhe përgjegjësi në ndërtimin e shtetit dhe bashkëjetesën me popujt tjerë në vend.
Boçi tha se shqiptarët kanë nevojë për një politikë që flet qartë, me fytyrë njerëzore dhe të orientuar drejt interesit qytetar dhe së ardhmes evropiane.
“Prandaj kërkohet një politikë që VLEN, dhe flet qartë si vlera e VLEN-it e cila ndjek një politikë me pamje njerëzore, që nuk e sheh qytetarin si numër mekanik, por si themel të veprimit të saj. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i misionit tuaj, modelit tuaj, i një politike të re shqiptare, të ndershme, qytetëruar, të vendosur dhe të orientuar qartë nga interesi i shqiptarëve dhe e ardhmja evropiane e shteteve tona.”, deklaroi nënkryetari i PD-së.
Në fund të fjalimit të tij, Boçi shprehu mbështetje për shqiptarët në rajon, duke thënë se Shqipëria mbetet pranë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi dhe Preshevë./VOXAL/