Bisedat në “Sky” zbulojnë një tjetër rrjet droge – arrestime, bastisje dhe kërkime ndërkombëtare
Një tjetër kapitull i krimit të organizuar u zbardh sot falë të dhënave të siguruara nga komunikimet përmes aplikacionit të koduar Sky ECC. Policia, në bashkëpunim me Europol dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, zhvilloi bastisje në tre lokacione në Shkup. Gjatë aksionit, u arrestua një 29-vjeçar me inicialet F.K.
Hetimi lidhet me një grup të organizuar kriminal prej pesë personash, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se gjatë vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021 kanë organizuar transportin e gjashtë kilogramëve kokainë nga Holanda drejt Maqedonisë, me qëllim shpërndarjen në tregun vendor.
Pjesa më e madhe e të dyshuarve janë të njohur për autoritetet dhe ishin të përfshirë edhe në hetime të mëparshme. Disa prej tyre vazhdojnë të jenë në arrati dhe për ta janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare.
Brenda ditës pritet që Prokuroria për Krimin e Organizuar të ngrejë kallëzim penal ndaj të dyshuarve.