Bilall Kasami falënderon Albin Kurtin: “Mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin për rrugën Tetovë–Prizren”
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka reaguar pas urimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili përgëzoi Koalicionin VLEN për suksesin në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.
Kasami ka shprehur mirënjohje për përkrahjen dhe ka theksuar gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Tetovës dhe institucioneve të Kosovës.
“Faleminderit z. Kryeministër. Mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin për rrugën Tetovë–Prizren dhe projekte të tjera të përbashkëta me qeverinë dhe komunat e Kosovës”, ka shkruar Kasami.
Ai gjithashtu ka uruar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje që të kenë sukses në balotazhin e së dielës në komunat ku garojnë.
Ky reagim i Kasamit vjen pas postimit të Albin Kurtit, i cili përgëzoi publikisht liderët e VLEN-it, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, për fitoret në Çair dhe Tetovë, duke theksuar se rezultatet janë dëshmi e punës së ndershme dhe qeverisjes së pastër.