Bien në pranga zyrtarë e policë, shpërdorën mbi 100 milion euro
Policia dhe prokuroria shkatërruan një grup të organizuar kriminal prej 15 personash të përfshirë në veprat penale: “bashkim kriminal”, “shkatërrim të pyjeve”, “dhënie ryshfeti”, “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, të cilët kanë dëmtuar për vite me radhë pyjet shtetërore për përfitime private.
U kryen bastisje në disa lokacione në Berovë dhe në një lokacion në Pehçevë. Si rezultat, mes të arrestuarve janë punonjës të Ministrisë së Brendshme, të Ndërmarrjes Publike “Pyjet Nacionale” – dega “Maleshevë”, një punonjës i Ministrisë së Bujqësisë, si dhe persona të angazhuar në prerjen dhe transportin e paligjshëm të druve.
Gjatë kontrollit u sekuestruan:
-
rreth 185.000 euro dhe 318.000 denarë,
-
telefona celularë dhe dokumentacion,
-
dy pushkë gjuetie, një pushkë ajrore dhe 75 fishekë kalibri 12 mm,
-
si dhe objekte të tjera të dyshuara se lidhen me veprimtarinë kriminale.
Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2025 të pandehurit T.K., O.M. dhe E.I. kishin formuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim prerjen ilegale të pyjeve. Ata, përveç prerjes së lejuar, kryenin edhe prerje dhe shitje ilegale të drurit në territorin e komunës së Berovës, duke gjeneruar përfitime të paligjshme për vete dhe për subjektin juridik të përfshirë.
Zyrtarë të NP “Pyjet Nacionale” u dyshuan se ndihmonin në transportimin dhe legalizimin e drurit të prerë në mënyrë ilegale, duke pranuar ryshfet dhe duke lëshuar dokumentacion të falsifikuar. Po ashtu, një pjesë e të dyshuarve informonin organizatorët për kontrollet e paralajmëruara nga qytetarët dhe autoritetet, duke i ndihmuar ata të shmangnin inspektimet.
Njëri prej të dyshuarve, N.A., kishte marrë ryshfet në dy raste, duke lejuar prerjen e pyjeve të djegura pa shpallje publike. Të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë policorë, raportonin për lëvizjet e patrullave dhe ndërmjetësonin në shitjen e drurit të prerë.
Në operacion ishin përfshirë edhe anëtarë të familjes së njërit prej organizatorëve, të cilët kryenin prerje, transport dhe ngarkim të druve, megjithëse nuk kishin asnjë licencë.
Sipas llogaritjeve, me këtë veprimtari kriminale është shkatërruar rreth 6.000 hektarë sipërfaqe pyjore, duke u prerë rreth 1.500.000 metra kub dru, me një vlerë që arrin në mbi 6.4 miliardë denarë.