Bie numri i turistëve kosovarë në Shqipëri krahasuar me vitin e kaluar
Numri i vizitorëve kosovarë që zgjodhën Shqipërinë si destinacion turistik ka shënuar rënie gjatë këtij viti, duke thyer trendin e viteve të mëparshme kur turizmi në vend ishte në rritje të vazhdueshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në shtatëmujorin e parë të vitit 2025, numri i udhëtarëve nga Kosova ka rënë me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme, pasi kosovarët tradicionalisht përbëjnë mbi një të tretën e turistëve “të huaj” që hyjnë në Shqipëri, shkruan Reporter.al.
Ekspertët e shohin këtë rënie si pasojë të faktit që Kosova fitoi të drejtën e udhëtimit pa viza vetëm vitin e kaluar. Kjo ka hapur horizonte të reja për qytetarët kosovarë, të cilët tashmë kanë mundësi të eksplorojnë destinacione të tjera përtej bregdetit shqiptar.
Për vite me radhë, Shqipëria ka qenë zgjedhja e parë për pushimet verore të mijëra familjeve nga Kosova. Megjithatë, liberalizimi i vizave ka nxitur një shpërndarje më të gjerë të turistëve kosovarë në tregjet evropiane, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e vizitave në Shqipëri.
Turizmi i huaj, ritme më të ngadalta rritjeje
Në përgjithësi, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri gjatë korrikut shënoi rënie me 3.3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo është një frenim i dukshëm krahasuar me vitet 2022 dhe 2023, kur turizmi i huaj kishte regjistruar rritje respektivisht 31% dhe 35%, duke kontribuar në mënyrë të ndjeshme në rritjen ekonomike të vendit.
Edhe pse gjatë periudhës janar–korrik 2025 është shënuar një rritje modeste prej 1.1%, të dhënat e muajit gusht do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një tendencë të re apo për një luhatje të përkohshme.
Tregjet e tjera: rënie dhe rritje të kombinuara
Nga tregjet e Evropës Lindore, situata është mikse. Shqipërinë e vizituan këtë vit rreth 153 mijë polakë, me rënie prej 11% kundrejt një viti më parë, ndërsa vizitorët çekë u rritën me 5% dhe ata hungarezë me 18%. Edhe numri i vizitorëve nga Serbia u rrit ndjeshëm, me 16%.
Këto tregje mbeten të rëndësishme për turizmin shqiptar, pasi konsiderohen si më të ndjeshme ndaj çmimeve krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore, duke zgjedhur shpesh Shqipërinë për shkak të kostos më të ulët në raport me destinacionet rivale si Greqia, Italia apo Spanja.