Begaj tre ditë vizitë RMV-së, viziton edhe Tetovën
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nga nesër deri të shtunën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedonia e Veriut, ku janë paraparë takime në nivel të lartë shtetëror dhe aktivitete me karakter diplomatik.
Sipas agjendës zyrtare, Begaj do të pritet nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Në program janë përfshirë gjithashtu edhe takime me përfaqësues dhe liderë të partive politike shqiptare në vend.
Në kuadër të vizitës, presidenti shqiptar do të zhvillojë ndalesa edhe në disa komuna me shumicë shqiptare. Ai do të qëndrojë në Komunën e Çashkës, në Tetovë, ndërsa vizitën do ta përmbyllë me një ndalesë në Dibër.
Vizita në Tetovë është konfirmuar edhe nga kryetari i komunës, Bilall Kasami, i cili përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për pritjen e presidentit shqiptar.
“Të shtunën, Tetova ka nderin të mirëpresë Presidentin e Shqipërisë. Kjo vizitë është një moment i veçantë për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve në rajon”, ka shkruar Kasami.VOXAL