Begaj nga Shkupi: Shqiptarët janë shtetformues dhe kyç për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë konferencës së përbashkët për media me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, theksoi rolin e shqiptarëve në vend si faktor shtetformues dhe stabilizues në proceset politike dhe integruese.
“Shqiptarët këtu janë shtetformues, janë bashkëpunues, konstruktiv dhe me rol kyç për stabilitetin politik, në qeverisje dhe në integrimin euroatlantik. Vlerësojmë shumë përpjekjet për një shoqëri multietnike duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit. Përfaqësimi dinjitoz i shqiptarëve në institucione, zbatimi i shqipes dhe ruajtja e mekanizmave të përfaqësimit të drejtë janë thelbësore për kohezion social, stabilitet dhe ardhmëri evropiane”, deklaroi Begaj.
Ai nënvizoi se avancimi i të drejtave të komuniteteve dhe funksionimi i barazisë reale përbëjnë bazën e një shoqërie të qëndrueshme dhe demokratike, duke shtuar se bashkëjetesa ndëretnike mbetet një vlerë që duhet ruajtur dhe forcuar në vazhdimësi.VOXAL