Begaj: Do doja t’i takoj të gjitha partitë shqiptare të RMV në një tryezë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë konferencës së përbashkët për media me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, theksoi se gjatë çdo vizite në Shkup zhvillon takime të veçanta me faktorin politik shqiptar, ndonëse do të preferonte një tryezë të përbashkët.
“Sa herë kam ardhur në RMV takoj faktorin shqiptar. Do doja t’i kisha takuar të gjithë në një tryezë, pasi takojnë ideologji të ndryshme, meqë një pjesë janë në pushtet dhe një pjesë tjetër në opozitë”, deklaroi Begaj.
Ai nënvizoi se, pavarësisht ndarjeve politike, faktori shqiptar mbetet i bashkuar për çështje strategjike.
“Faktori shqiptar është bashkë për çështjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe për integrimin në BE. Duhet të mendojmë për të sotmen dhe të ardhmen. Me sytë nga e shkuara nuk mund të shikojmë të ardhmen”, u shpreh presidenti shqiptar.
Begaj përsëriti se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shtetformues dhe luajnë rol kyç në stabilitetin politik, qeverisjen dhe procesin e integrimit euroatlantik, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit dinjitoz, zbatimit të gjuhës shqipe dhe ruajtjes së mekanizmave të përfaqësimit të drejtë për kohezion social dhe ardhmëri evropiane.VOXAL