BE ndalon pagesat “cash” mbi 10 mijë euro, goditje për tregtarët e makinave
Nga viti 2027, Bashkimi Evropian do të vendosë kufi të ri për pagesat me para në dorë, duke ndikuar drejtpërdrejt tek tregtarët e makinave.
Sipas rregullave të reja, nuk do të lejohet më blerja e automjeteve mbi 10.000 euro me “cash”. Çdo shumë mbi këtë kufi duhet të paguhet përmes bankës, kreditit apo mënyrave të tjera elektronike.
Ky vendim pritet të godasë veçanërisht tregun e makinave të përdorura, ku deri tani shumë transaksione janë kryer me para në dorë.
Rregullat janë të qarta:
- Nuk lejohet ndarja e pagesës në disa pjesë për të shmangur kufirin
- Në çdo shitje ku përfshihet kompani apo tregtar, kufiri zbatohet pa përjashtim
- Për pagesa mbi 3.000 euro kërkohet identifikim i blerësit
Përjashtim bëjnë vetëm shitjet mes personave privatë, por vetëm nëse nuk bëhet fjalë për aktivitet biznesi të fshehur.
Autoritetet thonë se qëllimi është të luftohet pastrimi i parave dhe të rritet kontrolli mbi transaksionet financiare.
Me këto ndryshime, tregtarët e makinave do të duhet të përshtaten me pagesat bankare, ndërsa përdorimi i cash-it do të zvogëlohet ndjeshëm./VOXAL/