BE konfirmon se po punohet për heqjen e plotë të masave brenda disa javësh
Komisioni Evropian ka konfirmuar se të gjitha masat ndaj Kosovës mund të hiqen brenda disa javësh, sapo të përfundojnë procedurat e brendshme në strukturat e Brukselit.
Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim, Jan Koopman, ka bërë të ditur se, së bashku me pjesën e masave që tashmë janë hequr, për Kosovën do të lirohen mbi 400 milionë euro.
Aktualisht, sipas tij, po punohet në fazën e programimit dhe kontraktimit.
“Ndërmjet programimit dhe kontraktimit, ne, në mënyrë efektive, në javët e ardhshme do t’i kishim hequr të gjitha masat financiare. Kjo është pak a shumë ajo që ka thënë Presidentja jonë dhe ajo që po planifikojmë të bëjmë tani, si dhe ajo që ne në të vërtetë po bëjmë në praktikë”, tha Jan Koopman.
Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim ka folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Situata e Kosovës në kontekstin e Planit të Rritjes, sipas tij, është relativisht e thjeshtë. Mjetet financiare do të lirohen sapo marrëveshjet përkatëse të ratifikohen – një proces që deri më tani ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.