Banka Evropiane e Investimeve hap përfaqësi në Shkup
Banka Evropiane e Investimeve do të hapë përfaqësi në Shkup. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, theksoi se nga pavarësia deri sot, BEI ka investuar mbi 1,6 miliardë euro në sektorë kyç për zhvillim të qëndrueshëm të shtetit, përfshirë infrastrukturën, energjetikën, transportin, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe modernizimin e shërbimeve publike. Robert De Grot, nënkryetar i Bankës Evropiane të Investimeve, shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi do të vazhdojë me intensitetin deri tani në disa fusha, si energjetika, transporti, lidhshmëria dhe tranzicioni drejt burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Qysh nga sot, BEI do të jetë edhe më afër institucioneve shtetërore, vetëqeverisjes lokale dhe kompanive maqedonase – duke i mbështetur në realizimin e investimeve dhe projekteve të tyre zhvillimore. Prania më e afërt e BEI-së përbën një sinjal të qartë se shteti ynë po lëviz drejt një ekonomie moderne, evropiane dhe konkurruese – e hapur për investime dhe e orientuar drejt rritjes afatgjate dhe të qëndrueshme”, tha Timço Mucunski – Ministër për Punë të Jashtme.