Avokati i Popullit hap lëndë për provimin e jurisprudencës në shqip, Kasami garanton zgjidhje
Avokati i Popullit ka konfirmuar se ka hapur lëndë lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Nga ky institucion bëjnë të ditur se procedura është iniciuar me vetëiniciativë dhe do të përfshijë analizë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe të veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë në organizimin dhe zhvillimin e këtij provimi. Sipas Avokatit të Popullit, publiku do të njoftohet në vijim për gjetjet dhe hapat e ndërmarrë.
Ndërkohë, ka reaguar edhe opozita shqiptare, e cila ka dënuar ashpër qëndrimin e ministrit të Drejtësisë, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe ligjore. Sipas opozitës, refuzimi për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe cenon barazinë gjuhësore dhe juridike dhe krijon precedent të rrezikshëm institucional që dëmton shtetin e së drejtës dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Në anën tjetër, kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe një prej liderëve të VLEN, ka garantuar se studentët shqiptarë së shpejti do të kenë një përgjigje pozitive për këtë çështje. Sipas tij, kërkesa e studentëve është legjitime dhe zgjidhja do të vijë përmes rrugës institucionale.VOXAL