AUV asgjëson 22 tonë kivi nga Serbia – zbulohen larva dhe insekte
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar këtë javë importin e 22,3 tonë kivi të destinuara për përpunim industrial, pasi gjatë kontrollit janë konstatuar ndryshime në vetitë organoleptike si dhe prani e larvave dhe insekteve.
Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për gjithsej 22.340 kilogramë kivi të importuara nga Republika e Serbisë. Ngarkesa është kontrolluar nga inspektorët e ushqimit në pikën e importit dhe është vlerësuar si e pasigurt për import dhe përpunim të mëtejshëm.
Autoritetet bëjnë të ditur se importuesit i është lëshuar vendim për asgjësimin e padëmshëm të sasisë së kontestuar, pasi është konstatuar se ngarkesa nuk mund të kthehet në vendin eksportues.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë theksojnë se kontrollet e shtuara në pikat e importit po vazhdojnë me intensitet të lartë, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. AUV paralajmëron se do të merren masa të rrepta ndaj çdo produkti që nuk i plotëson standardet ligjore.