Arrestohet për pastrim parash Bujar Dardhishta nga BDI, në pranga ranë mbi 10 të tjerë
Ish-drejtori dhe funksionari i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Dardhishta, është arrestuar në kuadër të një aksioni të madh policor të zhvilluar gjatë natës.
Sipas informacioneve fillestare, Dardhishta dyshohet për përfshirje në një skemë të pastrimit të parave dhe krimit ekonomik. Aksioni policor është realizuar nga data 17 në 18 dhjetor 2025, gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë.
Në kuadër të operacionit janë ndaluar mbi dhjetë persona, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme financiare. Aksioni është udhëhequr nga Njësia për Luftimin e Krimit të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Nga institucionet kompetente bëjnë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe se gjatë ditës pritet të publikohen më shumë detaje lidhur me rastin, si dhe veprat konkrete penale që u vihen në barrë të dyshuarve.