Arrestohet ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë
Ish-presidenti i FFM-së, Ilço Gjorgjioski, është arrestuar në një aksion të Prokurorisë për Krim të Organizuar, në bashkëpunim me MPB-në dhe Policinë Financiare.
Sipas informacioneve zyrtare, aksioni po zhvillohet në disa lokacione, ku po kryhen kontrolle dhe po hetohen dyshime për keqpërdorime financiare që kanë dëmtuar buxhetin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Së bashku me Gjorgjioskin është arrestuar edhe Olgica Mladenovska, përgjegjëse për financat gjatë mandatit të tij, si dhe rreth dhjetë persona të tjerë të dyshuar për malverzime financiare.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër ku një ish-udhëheqës i futbollit maqedonas përballet me akuza të rënda financiare, pas arrestimit të Muamed Sejdinit, i cili dyshohet për përvetësimin e 700 mijë eurove, donacion nga UEFA për ndërtimin e tribunës së stadiumit në Ohër.