Arrestohet ish-kreu i FFM-së, Muhamed Sejdini, dyshohet për keqpërdorim të 700 mijë eurove
Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, është arrestuar në një aksion të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Themelore Publike, nën dyshimet për përvetësim dhe keqpërdorim të mjeteve financiare.
Sipas informacioneve fillestare, Sejdini dyshohet se ka përvetësuar rreth 700 mijë euro – fonde të ndara nga UEFA për mbështetjen e federatës dhe ndërtimin e një tribune në Ohër.
“Zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Departamenti i Policisë Kriminalistike, në koordinim me Prokurorinë, e kanë privuar nga liria personin me iniciale M.S. për shkak të dyshimeve për përvetësim dhe keqpërdorim”, njoftojnë nga MPB.
Sipas burimeve jozyrtare, dyshimet për keqpërdorime janë evidentuar pas ndryshimeve në udhëheqjen e federatës, kur rasti është denoncuar në institucionet kompetente.
Nga Prokuroria konfirmojnë se bëhet fjalë për një rast të hapur dhe se hetimet janë në zhvillim.
“Në kuadër të një rasti në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, është arrestuar një person për shkak të veprimeve që ngrenë dyshime për kryerjen e veprave penale – përvetësim dhe keqpërdorim. Po ndërmerren veprime të mëtejshme me urdhër të prokurorit publik, ndërsa më shumë detaje do të bëhen të ditura pas përfundimit të procedurave”, thuhet në njoftim.