Arrestohen tre trafikantë – kapen tetë emigrantë nga Egjipti
Policia ka kapur tre trafikantë të emigrantëve nga fshati Studeniçan i Shkupit dhe nga Radovishi.
Sipas njoftimit të MPB-së, rreth orës 19:45 në autostradën Kumanovë – Tabanoc, në afërsi të vendit të quajtur Kosturnik, policia vërejti dy automjete – një “Audi” me targa të Strumicës, që drejtohej nga B.B., dhe ku ndodhej pasagjeri A.SH., si dhe një “Volkswagen Passat” me targa të Shkupit, i drejtuar nga A.S. – të cilat po transportonin emigrantë të paligjshëm.
Përkundër shenjës për ndalim nga policia, automjetet vazhduan lëvizjen, por u ndaluan pas pak kohe dhe brenda tyre u gjetën tetë emigrantë nga Egjipti.

Të gjithë emigrantët janë dërguar në Qendrën Tranzitore Tabanoc, ndërsa nga verifikimet e mëtejshme u konstatua se ndaj A.S. ishin lëshuar tre urdhër-arreste aktive. Të tre personat e dyshuar janë dorëzuar në Stacionin Policor në Kumanovë për procedura të mëtejshme.
MPB njoftoi se, pas dokumentimit të plotë të rastit, nga Departamenti për Krim të Organizuar dhe Migracion pranë Qendrës Rajonale – Veri, do të ngrihet kallëzim penal përkatës.