
Arben Fetai: VLEN-i korrigjoi një padrejtësi historike – nuk ka më “bashkëpunëtor i ri”
Zv/kryeministri për Qeverisje të Mirë dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Arben Fetai, prezantoi sot ndryshimet e reja në administratë, me të cilat shfuqizohen titujt “bashkëpunëtor i ri” dhe “referent i ri”, të cilat kryesisht ishin të rezervuara për shqiptarët.
Duke filluar nga 1 janari i vitit 2026, të gjithë të punësuarit me titullin “bashkëpunëtor i ri” do të avancohen automatikisht në “bashkëpunëtor”. Të punësuarit me titullin “bashkëpunëtor” do të bëhen “bashkëpunëtor profesional”. Ata me arsim të mesëm që mbajnë titullin “referent i ri” ose “referent” do të avancohen në “referent i lartë”. Titulli “referent i lartë” do të zëvendësohet me “referent i pavarur”.
“Edhe kjo padrejtësi tashmë po merr fund. Qeveria VLEN ka marrë një vendim historik në kuadër të reformës së administratës publike. Me ligjet e reja për administratën publike do të shfuqizohen përfundimisht titujt diskriminues “pomlad sorabotnik” dhe “pomlad referent”, që për dy dekada poshtëruan shqiptarët në çdo zyrë shtetërore. Me VLEN, nuk ka më “bashkëpunëtor të ri”! Nuk ka më “referent i ri”, deklaroi zv/kryeministri Fetai.
Ai akuzoi BDI-në se për 20 vjet ka poshtëruar shqiptarët duke i trajtuar si qytetar të dorës së dytë.
“Ky titull nuk ishte vetëm emërtim. Ishte një etiketë e padrejtësisë. Njerëz të shkolluar, me përvojë dhe përkushtim, mbetën të bllokuar në pozita të ulëta për vite me radhë. Ata u punësuan, por nuk u avancuan. Asnjëherë nuk u vlerësuan dhe u poshtëruan në mënyrë sistematike. Ata u lanë në harresë institucionale vetëm pse ishin shqiptarë dhe nuk kishte kush t’u dalë zot”, tha Fetai.
Zv/kryeministri shtoi se BDI-ja e kishte gjithë kohën ta bënte, por nuk deshi, ndërsa VLEN-i e bëri brenda vitit të parë të qeverisjes./VOXAL/