Apple investon edhe 100 miliardë dollarë në prodhimin në SHBA
Gjiganti teknologjik Apple do të investojë edhe 100 miliardë dollarë në prodhimin brenda SHBA-ve, duke e çuar totalin e investimeve të shpallura në 600 miliardë dollarë.
Sipas burimeve nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Donald Trump pritet ta bëjë zyrtarisht publike këtë lajm gjatë ditës, raportoi agjencia “Reuters”.
Apple tashmë kishte paralajmëruar në shkurt një plan investimi prej 500 miliardë dollarësh për katër vitet e ardhshme, përfshirë ndërtimin e një fabrike të re në Houston. Me këtë investim të ri, kompania përforcon synimin për të rikthyer një pjesë të prodhimit në SHBA dhe për të prodhuar komponentë kyç në vend.
Lajmi vjen në një kohë kur SHBA po shton përpjekjet për pavarësi teknologjike dhe forcim të industrisë vendase, veçanërisht në sektorët si çipat, pajisjet inteligjente dhe telekomunikacioni.