Ansambli Shqiptar kompletohet me 45 vendime pune, merr fund pasiguria disavjeçare e artistëve dhe stafit tjetër
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut ka finalizuar me sukses procesin e konsolidimit të burimeve njerëzore, duke shpërndarë 45 vendime të rregullta pune për stafin artistik dhe profesional, të cilët për më shumë se katër vite kishin vepruar nën pasigurinë e kontratave të përkohshme.
Në ceremoninë zyrtare të ndarjes së vendimeve, Drejtori i Ansamblit, Jetmir Rexhepi, së bashku me Zëvendësministrin e Kulturës, Sedat Sulejmani, vlerësuan këtë akt si një hap historik për dinjitetin e artistit shqiptar dhe për vetë institucionin.
Gjatë fjalës së tij, drejtori Jetmir Rexhepi nuk fshehu përkushtimin e madh që u desh për të zgjidhur fatin e stafit të domosdoshëm, të cilët deri më tani ishin mbajtur pezull nga politikat e kaluara.
“Sot po i japim fund epokës së pasigurisë. Nuk mund të ndërtosh art të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm kur artisti jeton me frikën e të nesërmes. Ky nuk është thjesht një akt administrativ, por një akt dinjiteti. Premtimi ynë ishte që t’i kthenim këta profesionistë nga ‘punonjës me kontratë’ në shtylla të pathyeshme të shtëpisë sonë kulturore, dhe këtë e arritëm duke dëshmuar se kur ka vullnet, zvarritjet disavjeçare marrin fund për pak muaj,” deklaroi Rexhepi.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, theksoi se ky vendim finalizon një prej proceseve më të rëndësishme për konsolidimin e njërit prej institucioneve më reprezentative të kulturës shqiptare në vend.(INA)