Andonovski: Nuk po mendojmë për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit deri në 15 vjeç, ky do të ishte një hap radikal
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, thotë se Qeveria nuk po mendon për kufizimin e qasjes në rrjetet sociale për të miturit deri në 15 vjeç, duke vlerësuar se një hap i tillë do të ishte tepër radikal dhe do të nënkuptonte ndërhyrje të shtetit në të drejtat dhe liritë themelore.
Andonovski e deklaroi këtë duke u përgjigjur ndaj pyetjes së gazetarëve, lidhur me atë nëse edhe Maqedonia do të ndjekë shembullin e disa vendeve, përfshirë edhe shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ku po zhvillohet debat për kufizimin e qasjes në rrjetet sociale për të miturit.
“Vërejtëm peticione edhe në Maqedoni. Unë dhashë një koment. Vitin e kaluar, në kuadër të këtij projekti, në të gjitha shkollat prezantuam një mënyrë kontrolli përmes së cilës prindërit mund të kontrollojnë se cilat aplikacione fëmijët e tyre mund t’i kenë në telefonat mobilë dhe pajisjet e tjera, sa kohë mund të kalojnë në to dhe cilat përmbajtje lejohen ose nuk lejohen t’i ndjekin. Kemi vlerësuar se kjo është mënyra për të parandaluar rreziqet nga interneti, ndërsa kontrollin ta mbajnë prindërit, e jo ta marrë shteti. Bëhet fjalë për kontrollin e mjeteve që janë jashtëzakonisht private. I përdorin prindërit dhe fëmijët, dhe do të ishte ndërhyrje e shtetit në çështjet e brendshme të çdo familjeje”, deklaroi ministri i Transformimit Digjital.
Megjithatë, ai la hapësirë që, nëse ka interes të shtuar nga prindërit dhe, siç tha, frikë të rritur, të hapet diskutim për këto çështje. Në këtë kontekst, Andonovski tha se mund të organizohet debat publik dhe anketë për të parë se cili është interesi dhe mendimi i prindërve.
“Nuk ikim nga mundësia për ndryshim të ligjit që të kemi një opsion të tillë, por rreziku është shumë i madh kur shteti vendos të ndalojë mjete të caktuara për një grup të caktuar njerëzish. Kështu hapim derën që shteti nesër t’i lejojë vetes të ndalojë edhe gjëra të tjera, gjë që mund të jetë në kundërshtim me lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes, vetëm sepse shteti ka vendosur se një mjet i caktuar duhet të ndalohet. Këtë duhet ta ruajmë si masë të fundit, ndërsa masa e parë duhet të jetë parandalimi dhe kontrolli prindëror”, shtoi ministri.
Ndryshe, në organizim të Ministrisë së Transformimit Digjital dhe Komunës së Prilepit, sot në Shkollën Fillore “Kire Gavrilovski – Jane” në këtë qytet u mbajt një ngjarje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Internetit më të Sigurt.