ANALIZË: Për një muaj numri i personave të papunë të evidentuar në RMV është rritur për pothuajse 2.800 (Infografik)
Qendrat e punësimit në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar dhe Prilep kryesojnë për sa i përket numrit të punëkërkuesve aktivë – domethënë personave me statusin e të papunëve. Të dhënat përfundimtare gjysmëvjetore për numrin e personave të papunë në nivel shtetëror tregojnë një trend të rritjes krahasuar me muajin maj të këtij viti, ashtu edhe në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas Qeverisë ky vit duhet të përfundojë me një shkallë më të ulët të papunësisë në nivelin prej 11.1%, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Këtë vit niveli i papunësisë duhet të zvogëlohet në 11,1%
Në vendin tonë në fund të muajit qershor zyrtarisht si të papunë – punëkërkues aktivë janë regjistruar 97.157 persona. Të dhënat e fundit gjysmëvjetore të Agjencisë së Punësimit tregojnë se si në bazë mujore, ashtu edhe në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të papunëve është rritur. Analiza komparative e të dhënave e realizuar nga “Portalb” tregon se në muajin qershor krahasuar me muajin maj, kur janë regjistruar 94.371 të papunë, numri është rritur për 2.786 persona. Edhe pse trendi për lajmërimin dhe çlajmërimin e të punësuarve dhe të papunëve ndryshon në bazë mujore, statistikat tregojnë se që nga fillimi i këtij viti, vetëm në muajin qershor krahasuar me muajin maj, është regjistruar një ndryshim më domethënës i numrit të të papunëve.

Në krahasim me vitin e kaluar në të njëjtin muaj kishte një rritje të numrit të të papunëve. Pra, vitin e kaluar në muajin qershor sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit me statusin e të papunëve u regjistruan 96.828 persona, që është për 329 më pak se në të njëjtin muaj të këtij viti. Për të fituar një pasqyrë të trendit të të papunëve të evidentuar që nga fillimi i vitit, “Portalb” bëri edhe një krahasim të të dhënave sipas qendrave rajonale të Agjencisë së Punësimit – në numrin më të madh të tyre ka një rritje të punëkërkuesve aktivë.

Në fund të gjysmëvjetorit të parë ekonomik, Shkupi zë vendin e parë me 21.118 persona të papunë, ndërsa krahasuar me muajin e parë të vitit numri është rritur për 1.292 persona. Në vendin e dytë me 12.409 persona të papunë është qendra rajonale në Tetovë, ku krahasuar me 31 janarin e këtij viti, numri i të papunëve është rritur për 312 persona. Qendra e punësimit në Tetovë, pas Shkupit, është e vetmja në nivel shteti me një numër pesëshifror të personave të papunë – të gjitha të tjerat kanë më pak se 10.000 persona të evidentuar me statusin e të papunëve.
Pastaj vjen Qendra rajonale në Kumanovë me 9.623 të papunë ku krahasuar me muajin janar të këtij viti numri është më i ulët për 267 persona, pastaj vjen Gostivari me 7.388 të papunë dhe ky numër krahasuar me gjendjen në muajin e parë të vitit është rritur me 4 punëkërkues të rinj aktivë. Në qendrën e punësimit në Prilep janë evidentuar 5 464 të papunë me një rritje minimale prej 5 të papunëve. Në të gjitha qendrat e tjera rajonale të APRM në nivel shtetëror – numri i punëkërkuesve aktivë është më pak se 5.000.
Në buxhetin e ribalancuar Qeveria theksoi një zvogëlim të papunësisë. Duke u referuar në Anketën për fuqinë punëtore, në tremujorin e parë të vitit 2025 është regjistruar një shkallë e papunësisë prej 11,7%, që është një rënie për vetëm 0,2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin paraprak. Sipas parashikimeve buxhetore ky vit duhet të mbyllet me një shkallë më të ulët të papunësisë.
“Shkalla e papunësisë në vitin 2025 pritet të ulet në 11,1%, ndërsa shkalla e punësimit të arrijë në 47%”, thuhet në rebalancin e miratuar së fundmi të buxhetit.
Në vendin tonë të dhëna për papunësisë dhe nivelin e punësimit publikohen nga dy institucione të ndryshme sipas metodologjive të ndryshme – Agjencia e Punësimit, e cila në baza mujore mban evidencë për numrin aktual të të papunëve dhe të punësuarve, dhe Enti i Statistikës, i cili mat shkallën e punësimit dhe papunësisë në nivel kombëtar. Sipas Entit të Statistikës në tremujorin e parë të këtij viti në vendin tonë ka pasur 92.597 të papunë në moshë nga 15 deri në 74 vjet, ndërsa në të njëjtën periudhë, ose në fund të muajit mars, sipas Agjencisë së Punësimit ka pasur 95.575 persona të papunë.