Ambasada e Kosovës vlerëson reagimet e VLEN-it ndaj thirrjeve antishqiptare
Ndaj thirrjeve raciste anti-shqiptare, me një reagim me shkrim kanë dalë edhe nga Ambasada e Kosovës në Shkup. Sipas tyre këto thirrje ant-shqiptare të tifo grupeve janë të shpeshta dhe meritojnë dënim me termat më të ashpër.
“Ambasada ka përcjellur me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me thirrjet raciste anti-shqiptare të tifozëve në një ndeshje basketbolli në Kumanovë. Duke pasur parasysh që thirrjet e tifo grupeve të tilla janë të shpeshta dhe rëndom mbretërojnë nëpër stadiume, ne dënojmë në termat më të fuqishëm këto thirrje.
Vlerësojmë reagimin e kreut institucional të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje. Mjaft premtues është aktivizimi i prokurorisë dhe urojmë që autorët të i nënshtrohen pasojave juridike, duke krijuar kësisoj një trend të ndëshkueshmërisë për rastet e tilla”|, thuhet në reagimin e Ambasadës së Kosovës në Shkup.
Ndaj incidentit të një dite më parë në ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, kanë pasuar reagime të shumta në vend, Kosovë e Shqipëri.