Aliu: 150 punësimet drejt përfundimit
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, për premtimin e dhënë lidhur me punësimet në shëndetësi, siç ishte premtimi i 150 punësimeve në Klinikën e Tetovës, ai tha se nuk bëhet fjalë për premtime të parealizuara, por për një proces të nisur që është drejt finalizimit.
Ministri thotë se të gjithë kandidatët janë testuar dhe lista përfundimtare është përpiluar. Tashmë mbetet vetëm faza e fundit administrative, që përfshin një takim të shkurtër me drejtorin dhe më pas nënshkrimi i kontratës.
Aliu paralajmëroi se përveç këtyre vendeve të punës që janë në proces, do të ketë edhe punësime të reja, për shkak të mungesës së madhe të stafit në sektorin shëndetësor në Maqedoni.
“Sektori i shëndetësisë është një ekosistem që vuan nga mungesa serioze e motrave medicinale, stafit teknik dhe mjekëve. Ne nuk mund të planifikojmë buxhetin bazuar në të kaluarën, por mbi nevojat reale. Aktualisht kemi hartuar draft-versionin e parë të skanimit të situatës, dhe kemi dy skenarë: institucione që kanë mungesa serioze dhe institucione që kanë më shumë staf se sa nevojitet”, sqaroi Aliu.
Ministria, sipas tij, është duke përgatitur riorganizim të brendshëm, për të balancuar stafin mjekësor në përputhje me nevojat, si dhe për të rritur transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve.