Albi Qamili: Qytetarët duan të na shohin bashkë, po diskutohet e ardhmja e VLEN-it
Mbështetja e madhe që mori VLEN-i në zgjedhjet lokale dëshmon se qytetarët duan t’i shohin bashkë, tha zv/kryetari i Tetovës Albi Qamili në podcastin T-Cast në Tetova1.
Ai theksoi se organet e brendshme të VLEN-it po e diskutojnë të ardhmen e koalicionit, por çdo vendim, sipas tij, duhet ta reflektojë këtë vullnet të qytetarëve.
“Kjo është një çështje që po diskutohet në organet tona të brendshme. VLEN në zgjedhjet e fundit lokale mori mbështetje të madhe qytetare, që tregon se shqiptarët na duan bashkë dhe e vlerësojnë vizionin tonë. Andaj besoj se çdo vendim për të ardhmen e VLEN-it do ta reflektojë këtë vullnet të qytetarëve”, tha Qamili.
Ai theksoi se VLEN funksionon më mirë seç pritej, përkundër faktit se përbëhet nga 4 parti.
“VLEN funksionon shumë mirë, realisht më mirë edhe se pritjet tona dhe pritjet e opinionit. Përkundër se jemi 4 parti dhe dy lëvizje politike, funksionojmë shumë korrekt, si një koalicion me mendime të ndryshme, por me qëllim të përbashkët. Debatet ekzistojnë, por nuk bëhet fjalë për asnjë përçarje. Qëllimi kryesor mbetet sjellja e një fryme të re në politikë”, theksoi Qamili.