Albi Qamili: Grubi e kuptoi se BDI nuk kthehet në pushtet, prandaj hoqi dorë nga pritja dhe u dorëzua
Dorëzimi i Artan Grubit është dëshmi se BDI-ja dalëngadalë po e pranon realitetin politik se nuk kthehet më në pushtet, tha Albi Qamili nga VLEN, në intervistën në kuadër të edicionit të lajmeve në Alsat.
Ai tha se i gjithë narrativi i BDI-së se “së shpejti do të kthehet në pushtet” e mbajti Grubin në arrati për 14 muaj, por tashmë edhe ai e ka pranuar realitetin.
“Shihet qartë se Artan Grubi e ka pranuar realitetin politik në Maqedoninë e Veriut. BDI-ja ushqeu një narrativ se shumë shpejt do të kthehet në pushtet dhe kështu do të shpëtojë Artan Grubi. Por dorëzimi i Artan Grubit dëshmon se e ka pranuar realitetin se BDI nuk mund të kthehet më në pushtet”, tha Qamili.
Duke komentuar vendimin e gjykatës për arrest shtëpiak në vend të paraburgimit efektiv, Qamili tha se këto janë pasoja të pushtetit BDI-LSDM, që ishte edhe arsyeja pse Grubi është në listën e zezë amerikane.
“Artan Grubi bashkë me protagonistë të tjerë ka kontribuar drejtpërdrejt në partizimin e skajshëm të gjyqësorit dhe sot përballemi drejtpërdrejt me këto elemente. Këto janë pasoja të qeverisjes së BDI-së dhe LSDM-së, dhe për këtë ka përfunduar edhe në listën e zezë amerikane Artan Grubin”, deklaroi Qamili.
Megjithatë, Qamili tha se pret që gjykatat e vendit të mos shkojnë kundër vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e ka shpallur “non grata” Grubin.