Alarm për qytetarët: Mesazhe mashtruese për gjoba trafiku, MPB apelon për kujdes maksimal
Institucionet e sigurisë në vend kanë paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të mashtrimeve online, ku qytetarët po bien pre e mesazheve të rreme për pagesë të kundërvajtjeve në trafik.
Sektori për Krim Kibernetik pranë Byrosë së Sigurisë Publike dhe Njësia për Siguri Kibernetike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme njoftojnë se ditëve të fundit janë regjistruar raste të shumta ku persona të panjohur, përmes një numri të huaj telefoni (+639606963624), u dërgojnë mesazhe qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në këto mesazhe pretendohet se marrësi ka kryer një kundërvajtje në trafik dhe i kërkohet të bëjë pagesë me kartë bankare përmes një ueb-faqeje të rreme që imiton faqen zyrtare të MPB-së.
Sipas autoriteteve, mashtrimi funksionon në këtë mënyrë: pasi qytetari klikon në linkun e dërguar, ai ridrejtohet në një faqe të falsifikuar ku i kërkohet të fusë të dhënat e automjetit, si numri i targës. Më pas shfaqet një “gjobë” e rreme prej 1.500 denarësh dhe kërkohet pagesa online, gjatë së cilës mblidhen të dhënat bankare të viktimës.
Nga MPB theksojnë se bëhet fjalë për një skemë klasike mashtrimi me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare.