Alarm nga Avokati i Popullit: 508 raste të abuzimit seksual ndaj fëmijëve në 6 vjet
Sistemi për mbrojtjen e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut ka dobësi serioze dhe nuk arrin të sigurojë mbështetje të shpejtë dhe efektive për viktimat e abuzimit seksual. Kjo është gjetja kryesore e analizës më të fundit të zyrës së Avokatit të Popullit.
Sipas të dhënave të prezantuara nga zëvendës-Avokatja e Popullit, , në periudhën 2020–2024 janë regjistruar gjithsej 508 raste të abuzimit seksual ndaj fëmijëve. Prej tyre, 455 viktima janë vajza, ndërsa 53 janë djem.
Shumica e rasteve lidhen me vepra të rënda penale:
186 raste për përdhunim të fëmijëve nën 15 vjeç
99 raste për sulm seksual dhe përdhunim
196 raste për bashkëjetesë jashtëmartesore me të mitur
Trend alarmues vazhdon edhe në vitin 2025, ku janë evidentuar 96 viktima të reja, prej të cilave 88 vajza dhe 8 djem. Mbi 57% e viktimave janë të moshës 11 deri në 15 vjeç, por janë regjistruar edhe raste me fëmijë nën 10 vjeç, madje edhe nën tre vjeç.
Sipas Bajramovska-Mustafa, megjithëse ekziston një kornizë ligjore dhe strategjike, sistemi nuk funksionon si duhet në praktikë. Reagimi i institucioneve është i fragmentuar dhe pa koordinim të mjaftueshëm, ndërsa fëmijët shpesh përballen me riviktimizim, duke u detyruar të japin dëshmi disa herë, në kundërshtim me parimin e intervistimit të vetëm.
Analiza evidenton edhe probleme të tjera serioze:
mungesë e hapësirave të përshtatshme për intervistim
mungesë e stafit të trajnuar
mungesë koordinimi ndërinstitucional
procedura gjyqësore që zgjasin deri në dy vjet
mekanizma pothuajse jofunksionalë për kompensim
Në pesë vitet e fundit janë paraqitur vetëm dy kërkesa për dëmshpërblim financiar, por pa ndonjë mbështetje reale për viktimat.
Nga institucioni theksojnë se siguria e fëmijëve nuk mund të mbetet vetëm në nivel formal, por duhet të garantohet në mënyrë konkrete dhe efikase.
Si zgjidhje, rekomandohet zbatimi i modelit multidisiplinar “Barnahus”, që siguron mbështetje ligjore, psikologjike dhe shëndetësore në një vend të vetëm për viktimat.
Në kuadër të parandalimit, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe organet kundër diskriminimit, është përshtatur edhe fushata ndërkombëtare “Një në pesë – Stop dhunës seksuale ndaj fëmijëve”, përmes së cilës janë trajnuar mbi 350 profesionistë në shkolla dhe kopshte.
Duke folur për politikën ndëshkuese, Bajramovska-Mustafa vlerësoi se dënimet maksimale do të ndihmonin në parandalimin e përsëritjes së veprave nga autorët.
Ndërsa për regjistrin e pedofilëve, ajo theksoi nevojën për përditësim më të rregullt dhe rritje të transparencës, në mënyrë që institucionet arsimore dhe familjet të jenë më të informuara.
Sa i përket rasteve aktuale që kanë shkaktuar reagim publik, nga Avokati i Popullit bëjnë të ditur se veprojnë edhe me iniciativë të vet, për të monitoruar mënyrën se si institucionet trajtojnë dhe mbrojnë fëmijët në këto procese.