Alarm në Francë, pasagjeri i kroçerës me simptoma hantavirusi pas riatdhesimit
Një pasagjer francez i anijes turistike MV Hondius, ku është regjistruar një shpërthim hantavirusi, ka shfaqur simptoma të sëmundjes gjatë riatdhesimit drejt Francës, duke shtuar shqetësimet e autoriteteve shëndetësore për përhapjen e virusit.
Ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, konfirmoi se shtetasi francez i evakuuar nga kroçera u vendos menjëherë në izolim të rreptë pas mbërritjes në Paris.
Pas uljes së avionit çarter në aeroportin Le Bourget, ekipet mjekësore të pajisura me masa të posaçme mbrojtëse transferuan pasagjerin në spitalin Bichat, ku do të qëndrojë në karantinë për 72 orë. Më pas, ai do të vetëizolohet për 45 ditë, sipas autoriteteve franceze.
Anija holandeze MV Hondius mbërriti të dielën në Ishujt Kanarie, ku nisi një operacion ndërkombëtar evakuimi i koordinuar nga qeveria spanjolle dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Deri tani, tre persona që kishin udhëtuar në bord kanë humbur jetën, ndërsa dy prej tyre rezultuan pozitivë me hantavirus.
Mbi 90 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi po riatdhesohen drejt vendeve të tyre, përfshirë Francën, Spanjën, Britaninë e Madhe, SHBA-në, Holandën dhe Australinë.
Autoritetet spanjolle kanë vendosur në karantinë 14 shtetas spanjollë në një spital ushtarak në Madrid. Ndërkohë, Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore bëri të ditur se shtetasit britanikë të kthyer në Manchester nuk kanë raportuar simptoma, por po mbahen nën monitorim.
Edhe SHBA-ja ka marrë masa të posaçme për pasagjerët e kthyer nga kroçera. Departamenti amerikan i Shëndetësisë njoftoi se një pasagjer ka shfaqur simptoma të lehta të virusit, ndërsa një tjetër ka rezultuar pjesërisht pozitiv për variantin Andes të hantavirusit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, disa prej pasagjerëve mund ta kenë marrë virusin gjatë qëndrimit në Amerikën e Jugut. Hantaviruset zakonisht transmetohen nga brejtësit, por varianti Andes konsiderohet ndër rastet e rralla që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.
Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, lodhje të fortë, dhimbje muskujsh, probleme gastrointestinale dhe vështirësi në frymëmarrje.
Mbërritja e anijes në Tenerife shkaktoi reagime dhe shqetësime të forta lokale, ndërsa autoritetet rajonale të Ishujve Kanarie paralajmëruan për rrezikun e përhapjes së virusit.
Ekspertët e shëndetit publik kanë ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e situatës në bord. Helen Clark, bashkëkryetare e Panelit të Pavarur për Përgatitjen dhe Reagimin ndaj Pandemive, deklaroi se rasti tregon se bota ende nuk është plotësisht e përgatitur për përballimin e krizave të reja shëndetësore.
“Ka ende mungesë financimi dhe kapacitetesh për zbulimin e hershëm dhe reagimin ndaj pandemive të mundshme”, tha ajo.